Në ‘arrest shtëpie’, por lëvizte i lirë nëpër Tiranë me armë zjarri me vete, arrestohet 23-vjeçari

Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi qarkullonte me automjet, i armatosur dhe në shkelje të masës së sigurisë “arrest shtëpie”.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se i riu është Sandriano Kastrati. Pas kontrolleve të ushtruara, blutë e Komisariatit Nr. 3 në bashkëpunim me “Shqiponjat”, kanë mundur të sekuestrojnë një pistoletë e tipit “Zastava”.

Sakaq, në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës të riut iu gjet edhe një sasi municioni luftarak (180 fishekë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me pistoletën.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 23-vjeçari, kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.