Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, Amerika shpreh sërish mbështetje për Kosovën e Bosnjën

Mes shqetësimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë mund të nxisë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, vijnë mesazhet mbështetëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sekretarja e shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë, gjatë një konference për media konfirmoi se Shtetet e Bashkuara janë me Kosovën dhe Bosnjën në përballje me ndikim rus e kinez në Ballkanin Perëndimor.

“Rusia dhe Kina po përhapin shumë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Presidenti Biden është mik i boshnjakëve dhe kosovarëve. A mund t’i siguroni njerëzit atje se Amerika është ende me ta?”, ishte pyetja që ju bë Psakit.

“Absolutisht. Ju lutemi – ju lutemi përcilleni këtë garanci menjëherë”, u përgjigj shkurt Psaki.

Ndryshe, dje në Kosovë qëndroi një delegacion i Shtëpisë së Bardhë i udhëhequr nga Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e Presidentit amerikan Joe Biden, për Siguri Kombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në rrjete sociale pas takimit se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë jetike dhe strategjike.

Autoritetet kanë themeluar grupin punues ndërinstitucional, që synon përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, mes shqetësimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë mund të nxisë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.