Ndihmës sekretarja shtetërore Donfrid për vizitë në Maqedoni të Veriut

Shkup, 28 prill – Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfrid sot do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut në kuadër të së cilës do të realizojë takim me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe me nikoqirin e saj, ministrin e Punëve të jashtme, Bujar Osmani.

Siç kumtoi MPJ, në fokus të bisedimeve pritet të jenë marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektivat eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimi në NATO dhe gjendjet aktuale në vend dhe rajon.
Pas takimit në MPJ, Donfrid dhe Osmani do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.

Vizita e sekretares Donfrid në Shkup është në suaza të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç kumtoi Departamenti amerikan i Shtetit, Donfrid në Shkup do të ketë takime me funksionarë të vendit, me ç’rast do të shprehë mbështetje të fuqishme për negociatat e vendit për hyrje në BE dhe do të falënderohet për ndihmën për Ukrainën. Ajo do t’i bëjë thirrje Maqedonisë së Veriut, si anëtare më e re e NATO-s, ta vazhdojë bashkëpunimin e afërt për një sërë çështjesh rajonale, të sigurisë dhe të mbrojtjes për promovim të demokracisë dhe stabilitetit rajonal.

Pjesë e turneut të sekretares Donfrid në Ballkanin perëndimor janë edhe Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova, prej ku më 25 prill e filloi vizitën në rajon.

Donfrid vjen në Maqedoni të Veriut një ditë pas vizitës në Shkup të eurokomisarit për zgjerim, Oliver varheji, i cili në takime ]t me kreun shtetëror në vend porositi se janë të përkushtuar t’i vazhdojnë përpjekjet për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut para përfundimit të kryesimit francez me Bashkimin Evropian. Varheji në Shkup erdhi nga Sofja, prej ku u largua me porosinë e njejtë – çështja për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në të zgjidhet deri në fund të kryesimit francez, në qershor.