Ndërtimi i shtëpive në veri, ankesa për parregullsi në projektin e MAPL-së

Dibran Behrami është ndër të paktët banorë nga Bistrica e Leposaviqit, që nuk e ka lëshuar vendlindjen.
Por ndonëse vendosi të qëndrojë në fshat, mezi ia del të jetojë për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
Shtëpinë që ka e ndan bashkë me vëllain, ndonëse thotë se ajo nuk i plotëson kushtet për jetesë.
“Unë këtu jetoj, as nuk kam kuzhinë, banjë nuk kam, në koritë po duhet mu pastru se nuk po kam ku”, tha Behrami.
Shpresa që do t’i ndërtohej një shtëpi e re, thotë se iu rrit kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, hapi thirrjen për aplikim për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, shpresa iu shua kur nuk u përzgjodh nga MAPL-ja, për çka dyshon se kishte parregullsi.
“Dy herë më kanë thanë me apliku, dy herë kam apliku dhe s’kam fitu, ata që kanë pas shtëpi nga 3-4 kat kanë fitu, ndërsa unë që nuk kam shtëpi as në Mitrovicë e as në Bistricë, unë jo, as unë e as vëllai. Ka pas hile a unë gjithmonë këtu kam ndenjtë”, tha Behrami.
Edhe në fshatin Koshtovë, ka disa familje që nuk kanë përfituar nga programi i MAPL-së. Ani pse jo para kamerës, edhe ata pretendojnë se kishte parregullsi në përzgjedhje.
Në një përgjigje përmes telefonit, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, tha se kanë dal përsëri në terren për t’i verifikuar aplikuesit.
“E di që komisioni ka dalë edhe një herë në verifikim se kur i dorëzon dokumentet është tjetër, por kur del në vend të ngjarjes e sheh më mirë, dhe e di prej vizitës që e kam pasur në vend të ngjarjes, që kanë ndryshuar rrethanat”, tha Krasniqi.
Në listën e përfituesve të publikuar nga Ministria, figurojnë 57 familje që janë përzgjedhur për ndihmë, ndërkohë që shuma e ndarë nga MAPL-ja për këtë projekt në gjithë Kosovën, është 3 milionë euro, 2 milionë për ndërtim të shtëpive dhe 1 milion për renovime.