Murphy: Serbia duhet të qëndrojë përkrah SHBA-së dhe BE-së e jo Rusisë

Senatori amerikan, Chris Murphy, tha të enjten në Beograd se nuk është në dobi të asnjë vendi të mbështesë regjimin e Vladimir Putinit dhe Serbia duhet të harmonizohet me perëndimin në qasjen ndaj Rusisë.

Senatori Murphy anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit Perëndimor bashkë me senatorin Gary Peters, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.

Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë janë të një rëndësie thelbësore. Shtetet e Bashkuara mbështeten në Serbinë si partner ekonomik dhe politik. Sa herë që jam këtu, kam nevojë të theksoj se partneriteti ynë ekonomik është duke u forcuar, ne po forcojmë partneritetin tonë në fushën e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe sigurisht që dëshirojmë që Serbia t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por ne e vlerësojmë që Serbia votoi me ne në Kombet e Bashkuara”, tha senatori Murphy pas takimeve me udhëheqësit serbë.

Senatori Murphy tha se shpreson të vazhdojnë bisedimet me zyrtarët serbë për harmonizimin e politikave lidhur me sanksionet kundër Rusisë, duke nënvizuar se “e ardhmja e Serbisë është me SHBA-në dhe BE-në, jo me Rusinë”.

I pyetur nga gazetarët për të komentuar vizitën e shefit të Shërbimit serb të Zbulimit Aleksandar Vulin në Moskë, senatori Murphy tha se “nuk mendon që është në dobi të ndonjë vendi të mbështesë regjimin e Vladimir Putinit“.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë dhe vazhdon të ruajë lidhjet e ngushta me Kremlinin në radhë të parë për shkak të qëndrimit të Moskës kundër pavarësisë së Kosovës, që Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë shtuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë në hijen e luftës në Ukrainë. Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Senatori Murphy tha se të dyja palët duhet të hedhin hapat për zbatimin sa më parë të marrëveshjes.

E di që përqendrimi këtu është në Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, por është e nevojshme që të dyja palët të hedhin hapa drejt zbatimit në të njëjtën kohë. Ne besojmë se Serbia duhet të përmbushë pjesën e saj të punës dhe Kosova duhet të përmbushë pjesën e saj. Në Kosovë kam thënë që duhet ta përmbushin detyrimin e tyre dhe të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe dhe se mund ta bëjnë këtë në përputhje me Kushtetutën e tyre”, tha senatori Murphy duke theksuar se nuk duhet humbur kohë.