MSH ankimon vendimin e gjykatës për humbjen e rastit ndaj kompanisë farmaceutike

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka bërë të ditur të shtunën se ka bërë ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë lidhur me rastin kundër një kompanie farmaceutike, për një tender të vitit 2011.

Ministria ka bërë të ditur po ashtu se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme disiplinore ndaj përsonave përgjegjës brenda MSH-së.

“Çështja e tillë gjyqësore, ka të bëjë më një proces tenderimi të vitit 2011, për të cilin është paditur Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë për anulim vendimi dhe kompensim dëmi. Përmes kësaj komunikate, Ministria e Shëndetësisë si palë e dëmtuar e njofton opinionin se ka bërë ankesë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë dhe bashkë me Avokaturën Shtetërore, do të vazhdojnë ta mbrojnë interesin juridik në çështjen në fjalë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet në procedurat e mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Në medie është raportuar këto ditë se rreth 630 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë humbja e rastit në gjykatën e shkallës së parë kundër një kompanie farmaceutike, për një tender të vitit 2011.

Përveç kësaj shume të parave, ky institucion e ka humbur edhe gjithë dosjen e lëndës

Askush nga institucionet që do të duhej ta mbronte MSH-në nuk ka shkuar në këtë seancë, duke shtyrë gjyqtarin të marrë për bazë vetëm argumentet e kompanisë farmaceutike.

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar masa për mospjesëmarrje në seancën kryesore të përfaqësueses së Avokaturës Shtetërore.