Mot me vranësira të ndryshueshme me reshje lokale të shiut, në pjesët malore me dëborë

Shkup, 22 dhjetor – Sinoptikët për sot njoftojnë mot të ndryshueshëm me vranësira, nga mëngjesi me reshje të përkohshme lokale të shiut, ndërsa në pjesët malore me dëborë që do ta rrisë shtresën e dëborës. Kryesisht në pjesët perëndimore dhe veriore borë e përkohshme do të bie edhe në vendet më të larta. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare, përgjatë Vardarit erë veriperëndimore, ndërsa në pjesët perëndimore erë perëndimore, e cila në disa vende përkohësisht do të përforcohet. Temepratura minimale do të jetë në interval prej -4 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 5 deri në 12 gradë.

Në Shkup mot i ndryshueshëm me reshje të përkohshme shiu. Në vendet më të larta në rajon do të bie borë e përkohshme. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie deri në -2 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 6 gradë.

Nesër do të fillojë stabilizimi i motit dhe do të fryjë erë e përforcuar veriperëndimore.

“Nga e diela vijon periudha e motit relativisht të ngrohtë, përveç në lugina me mjegull ku temperaturat e ditës nuk do të rriten shumë gjatë ditës. Nga e hëna kushtet për mjegull do të rriten”, thonë nga DPHM.