Misha Popoviq: Partitë politike, problemi më i madh në luftën kundër korrupsionit

Shkup, 5 Shtator – Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci, gjatë debatit me temën kundër korrupsionit dhe të rinjve, vlerësoi se partitë politike janë gjeneratorë të korrupsionit dhe përderisa është kështu, do të jetë e vështirë të përballemi me të.

“Të respektosh rregullat, të mendosh se shteti duhet të të vendosë taksa më të larta apo si duhet të zhvillohet në të ardhmen varet shumë nga besimi që qytetarët kanë tek institucionet dhe politikanët. Zhvillimi i vendit varet nga mbështetja e qytetarëve dhe ai besim ndërtohet nëse shteti u ofron shërbime qytetarëve. Nëse janë të kënaqur, kanë arsim të mirë, perspektivë, mundësi për të gjetur punë, ajër të pastër, sistem shëndetësor funksional atëherë do të bien dakord kur shteti thotë tani duhet të kursejmë, tani duhet të paguajmë taksa më të larta ose tani do të relaksohemi – gjithçka varet nga besimi.

Partitë politike janë aktualisht problemi më i madh në luftën kundër korrupsionit, sepse ato luftojnë për pushtet dhe kur janë në pushtet mundësojnë korrupsionin në të gjitha nivelet – nga më i ulëti tek ai më i larti. Të rinjtë e partive politike janë potencial për të përmirësuar punën e partive. Të rinjtë duhet të inkurajohen për t’iu bashkuar partive politike, por të rinjtë duhet të inkurajohen për të demokratizuar partitë. Nëse gjithçka shkon sipas logjikës fatale – hyj në një parti politike për të gjetur një vend pune, atëherë asgjë nuk do të ndodhë në 30 vitet e ardhshme në vend. Ky brez të rinjsh është rritur me më shumë shanse për të parë se si është në Perëndim, për të parë se cilat janë të këqijat dhe cilat janë anët e mira të vendeve që ne aspirojmë dhe përpiqemi ta zbatojmë atë kulturë nga atje në partitë politike këtu”, ka vlerësuar Popoviq.