Ministrja e Energjisë tregon projektin e ri: Do e kthejë Shqipërinë në qendër të furnizimit me gaz në rajon
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku lajmëroi sot një projekt që do të bëjë lidhjen e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë.
Në një tryezë me kompani nga SHBA dhe BE, ministrja tha se do të nisin diskutimet me aktorët që kanë shfaqur interes për realizimin e këtij projekti, që synon ta kthejë Shqipërinë “si qendër jo vetëm të furnizimit me gaz por si një kontributor në sigurinë energjitike të rajonit e pse jo të Evropës”.
“Zhvillimet e fundit gjeopolitike kanë evidentuar dobësitë në peisazhin energjitik aktual. Varësia nga gazi rus ka lënë të ekspozuar mjaft vende të rajonit e Evropës duke kërcënuar sigurinë energjetike.
Projekti ynë ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit.
Deri para pak kohësh injektimi i gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP do ishte pritur me shumë skepticizëm.
Sot për shkak të pasojave të krizës energjitike, është e mundur e i zbatueshëm, por dhe celësi fitues i këtij projekti.
Sot do zhvillojmë një projekt që do transformojë pozitën tonë e do pozicionojë vendin tonë jo vetëm si qendër të furnizimit me gaz por si një kontributor në sigurinë energjitike të rajonit e pse jo të Evropës”, tha Balluku.