Ministria e Financave me përkrahjen e Bankës Botërore po investon në efikasitetin energjetik dhe në modernizimin e ndriçimit publik nëpër komuna
Shkup, 25 shkurt – Ministria e Financave me përkrahjen e Bankës Botërore vazhdon ta përmirësojë efikasitetin energjetik nëpër komunat e vendit duke realizuar investime të rëndësishme në sisteme moderne dhe kursyese të energjisë në ndriçimin publik.
Ministria e Financave po përkrah me sukses realizimin e Projektit të efikasitetit energjetik në sektorin publik, i cili po zbatohet me përkrahjen financiare nga Banka Ndërkombëtare për Ndërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore.
Projekti i efikasitetit energjetik, i cili po implementohet përmes Njësisë Projektuese të Ministrisë së Financave paraqet hap të rëndësishëm në drejtim të modernizimit të infrastrukturës publike dhe avancimit të menaxhimit të qëndrueshëm të energjisë në vend.

Në kuadër të komponentit “Investime në komuna”, si pjesë e projektit në vlerë të përgjithshme prej 8.2 milionë eurove, është siguruar përkrahje financiare për realizimin e projekteve të rikonstruimit të objekteve publike me masa për efikasitetin energjetik, si dhe për modernizimin e ndriçimit publik në kompetencë të komunave.
Me këtë cikël po realizohen me sukses tri nënprojekte për ndriçimin publik rrugor në komunat e Probishtipit, Rankovcës, Llozovës, me investim të përgjithshëm prej 41.396.788 denarëve për zëvendësimin e llambave të reja me efikasitet energjetik LED.
Në Komunën e Probishtipit u realizua zëvendësimi i plotë i ndriçimit ekzistues rrugor me llamba të reja LED, duke përfshirë rajonin qendror të qytetit dhe 29 vendbanime. Për realizimin e këtij projekti në këtë komunë janë investuar 23.032.497 denarë, me ç’rast mundësohet përmirësimi i dukshëm i cilësisë së ndriçimit.
Në Komunën e Rankovcës u vendosën llamba moderne dhe ekonomike LED në vendbanimet Rankovcë, Psaçë, Petralicë, Opillë, Ljubincë dhe Ginovcë.
Me investimin prej 9.392.799 denarëve, ky projekt kontribuoi në rritjen e efikasitetit energjetik dhe sigurisë në nivel më të lartë dhe cilësisë së jetës për popullatën lokale në Rankovcë.

Në Komunën e Llozovës, përmes këtij projekti u realizua investimi prej 8.971.492 denarëve dhe u vendosën llamba të reja me efikasitet të lartë energjetik LED në tetë vendbanime, duke përmbyllur procesin e modernizimit të ndriçimit rrugor në këtë komunë dhe duke krijuar kushte për kursime të dukshme të energjisë elektrike.
Zbatimi i këtyre projekteve paraqet kontribut konkret në modernizimin e infrastrukturës energjetike në nivel lokal, në përmbushjen e detyrimeve ligjore që rezultojnë nga korniza bashkëkohore energjetike dhe në përforcimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Përmes modernizimit të ndriçimit rrugor arrihen kursime të konsiderueshme të energjisë elektrike, ulen kostot e komunave dhe sigurohet shërbim publik më cilësor dhe më i sigurt për qytetarët.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar në sigurimin e përkrahjes së qëndrueshme financiare dhe të partneriteteve që sjellin përfitime afatgjata për komunitetin, duke nxitur efikasitetin energjetik, përgjegjshmërinë fiskale dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

