Ministri Tupançevski e pranon se nuk ka paguar asgjë për fluturimin në Palermo
Shkup, 5 prill – Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski sot para A1on e ka pranuar se nuk e ka paguar fare biletën për fluturimin çarter dhe hyrjen në stadiumin e Palermos. Fakturën për aranzhmanin, respektivisht akomodimin e ka paguar pasi i gjithë opinioni e pa në tribuna, katër ditë pas ndeshjes, transmeton Zhurnal.
Por edhe pas këtij pranimi, ai edhe më tej thotë se nuk e ka shkelur kodin etik ku ka kufizime se deri në çfarë vlere mund të pranohen dhurata dhe në çfarë kushte.
“Çarter fluturimi nuk është i përfshirë aspak, edhe po të doni të përfshihet, nuk mundet. Ekziston mënyrë e organizimit të udhëtimit. Mënyra apo selektimi i njerëzve që kanë udhëtuar duhet të bëhet nga ana e njerëzve të cilët e organizojnë udhëtimin. Unë jam vetëm njëri prej ekipit të madh të delegacionit të gazetarëve, mjekëve, mysafirëve. Më duhet t’ua them se edhe pjesa që është paguar është paguar me insistimin tim sepse mendova se ashtu duhet të jetë”, thotë Tupançevski.
Ai shprehet se bileta për në stadium për të ka qenë me vlerë 0 denarë prandaj nuk ka patur si ta paguajë.
“Flasim për procedurë që më herët është konfirmuar nga ana e Federatës Futbollistike. Ato e kanë çelësin se në çfarë mënyre i marin. Biletën që e mora në emër timin, ishte 0 euro. A më kuptoni? Edhe po të dua të paguaj, praktikisht bileta është pa çmim”, tha Tupançevski.
Tupançevski thtë se nuk e ka shkelur kodin etik.
“Po e përsëris qëndrimin tim, nuk ka asnjë rregull nga kodi etik të anëtarëve të qeverisë që është shkelur. Nuk janë harxhuar para nga buxheti, nuk ka sigurim, nuk është përdorur vetura zyrtare dhe nuk është keqpërdorur pasaporta për fitimin e ndonjë privilegji. Nëse mendoni në nenin 17 se bëhet fjalë për dhuratë, donacion etj, e gjithë kjo ka edhe një shtesë dhe duhet të jemi korrekt në interpretimin e normës. Dhurata duhet të ketë të bëjë me kryerjen e funksionit”, tha Tupançevski./Zhurnal.mk

