Ministri Sali: Dua të jem urë lidhëse mes partive që mos bllokohet në Kuvend ndërtimi i Qendrës Klinike Universitare
Shkup, 14 Prill – Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali është sonte në ClickPlus në TV21. Duke folur për rastin e vdekjes së hendbollistit kroat të klubit “Butel”, Denis Tot, Sali tha se institucionet shëndetësore kanë vepruar në mënyrë profesionale në trajtimin e tij.
“E kam marrë raportin e IShSSh që tregon procedura juridike-normative se si është ndjekur gjithë procedura. Në pjesën e mjekësisë ligjore ende e presim raportin që të na arrijë që të shohim se a përputhen”, tha Sali.
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali duke folur për ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare në ClickPlus në TV21, tha se është i gatshëm të jetë urë lidhëse mes dy partive të mëdha, VMRO-DPMNE-së e cila po bllokon këtë projekt në Kuvend dhe LSDM-së e cila e propozoi këtë projekt në kohën kur ministër ishte Venko Filipçe.
“Unë dhe kam thënë publikisht se do të përkushtohem që të jem urë mes dy partive të larta. Unë vij nga parti e vogël që nuk rrezikon as njërën dhe as tjetrën parti, por jam i qëndrimit se shëndetësia duhet të marrë prioritet. Dalim nga një pandemi dhe tani është momenti ideal që të marrim një vendim konsesual për një projekt kaq të rëndësishëm”, tha Sali.
Shton se nuk ka për synim të marrë stafeta që të tregojë “se ja unë e realizova këtë projekt madhor”.

