Ministri Latifi shpalos shtyllat përmes të cilave synon transformim në shëndetësi

Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore, kthimi i “trurit” dhe ruajtja e trurit përmes programeve konkrete në shëndetësi, Qendra klinike të ekselencës dhe shërbime të avancuara klinike, kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese, proceset e akreditimit ndërkombëtar, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe decentralizimi i sistemit spitalor dhe riorganizimi i ShSKUK/QKUK janë shtyllat përmes të cilave ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi po planifikon ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shëndetësi dhe sigurimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor cilësor.

Duke e quajtur si dhuratën më të mirë për fëmijët e Kosovës, Latifi njoftoi për nisjen e ofrimit të shërbimeve për pacientët në Spitalin Pediatrik, projekt ky i cili ishte përuruar në shtator nga krerët shtetërorë.https://00f914be3deda05a0b0f70bfc1e75211.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Ai tha se për një transformim në sektorin shëndetësor po punojnë edhe në aspektin legjislativ, ndërsa theksoi nevojën për përkrahjen e BE-së për të rritur mirëqenien e profesionistëve shëndetësor.

“Dje ka qenë një ditë e jashtëzakonshme duke filluar me operimet e para me pacientin e parë në spitalin pediatrik që është ndërtuar dhe financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kështu që dua t’i falënderoj ato dhe t’i përgëzoj të gjithëve që jeni të përfshirë… Kam një listë të gjatë të akteve legjislative me të cilat po merremi duke përfshirë Ligjin për kujdesin shëndetësor dhe ligjet tjera, dhe në tërësi janë gjithsej 16 dhe 21 rregullore me të cilat jemi duke u marrë”, tha ai.

Sipas tij, për të pasur një sistem të mirë shëndetësor duhet të ketë nëpunës shëndetësorë që kanë mirëqenie dhe asnjëra nga këto nuk mund të bëhet pa partneritet dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh se prioritet ka edhe përmirësimin infrastrukturor përmes të cilit do ndikohet në uljen e infektimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, raporton kp.

Kreu i shëndetësisë kosovare në këtë mandat të tij synon edhe digjitalizimin, por edhe uljen e numrit të mjekëve dhe infermierëve që ikin nga Kosova, ndërsa u shpreh se po punojnë edhe në decentralizim të sistemit shëndetësor dhe riorganizim të ShSKUK-së – QKUK-së.

“Është vështirë të vendoset se cili është e para, programi i emergjencave apo digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore apo së bashku digjitalizimi i kujdesit shëndetësor që përfshirë sigurimin shëndetësor. Të gjithë e dimë që nëse nuk i kemi të dyja nuk mund të kemi spitale moderne dhe sistem modern shëndetësor.