Mickoski: VMRO-DPMNE është e gatshme të ndihmojë Qeverinë

Shkup, 28 prill – VMRO-DPMNE është e gatshme të ndihmojë këtë qeveri, deklaroi kryetari i partisë Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me propozimin e tij për formimin e grupeve punuese për ekonomi, politikë të jashtme, shëndetësi dhe arsim me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës të cilët do të punonin së bashku deri në zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur problemet në shoqëri.

Ai theksoi se qytetarët në zgjedhjet e fundit lokale e kanë deklaruar qartë se çfarë të ardhme duan të kenë dhe çfarë opsioni politik mbështesin, duke shfaqur shpresën se së shpejti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare VMRO-DPMNE do ta konfirmojë mbështetjen e saj me një fitore bindëse dhe shumicë në Parlament.

Sipas Mickoskit, vendi është në prag të falimentimit, është duke u përgatitur marrëveshje me FMN-në prej 900 milionë euro, sepse askush “nuk mund të japë eurobonde me kushte të favorshme ose nëse jep do të jetë me kamata të larta”. Sipas tij, në shëndetësi kemi katastrofë që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, ndërsa në arsim kuadri pedagogjik ka disa javë që është në grevë.

“Ata nuk janë zgjidhja, ata janë problemi dhe ne duam të jemi zgjidhja”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

I pyetur se pse VMRO-DPMNE kur ishte në pushtet për 12 vjet nuk i rriti pagat në arsim, Mickoski u përgjigj se VMRO-DPMNE e ka paguar çmimin për këtë dhe ka pesë vjet që është në opozitë.

“Si rezultat i gjithë kësaj, sot kemi një Qeveri që ka ardhur aty me premtime dhe ata njerëz kanë pritshmëri, të cilat bazohen në ato premtime. Fatkeqësisht, asgjë nga këto premtime. Nuk mendoj se duhet të flas me përqindje pak a shumë. E kam fjalën për mbështetjen mësimdhënësve, i cili duhet të edukojë fëmijët tanë që duhet të ndërtojnë të ardhmen tonë nesër. Ky është qëllimi im që të mund të kem një kuadër të motivuar edukativ-arsimor, i cili më tej do të krijojë njerëz që do ta ndërtojnë Maqedoninë”, deklaroi ndër të tjerat Mickoski.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së thekson se as “drejtorët e regjimit”, siç tha ai, as BDI-ja nuk kanë të drejtë “të kërcënojnë njerëzit, të torturojnë apo t’i maltretojnë nxënësit”. “Askush nuk e ka këtë të drejtë. Ky është shtet demokratik dhe e drejta në grevë është e garantuar me Kushtetutë”, tha Mickoski.

I pyetur nga gazetarët se a do të kërkojnë falje për ngjarjet e 27 prillit, Mickoski tha se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për këto ngjarje dihet dhe është thënë shumë herë në të kaluarën, prandaj nuk dëshiron të përsëritet.

I pyetur nëse VMRO-DPMNE do t’ua kthejë pronat e konfiskuara Sasho Mijallkovit dhe Nikolla Gruevskit nëse vjen në pushtet, Mickoski tha se ishte vendim i gjykatës për ngrirjen e pronës dhe se ishte larg nga konfiskimi dhe shërbeu si mjet sigurie deri në përfundimin e gjykimit, në procedurë të shkallës së dytë, e ndonjëherë në shkallë të tretë.

Sipas tij, një “proces i tillë i motivuar politik” po zhvillohet kundër VMRO-DPMNE-së.

“VMRO-DPMNE është ndoshta e vetmja parti në Evropë me pasuri të ngrira për shkak të një procesi që imponohet artificialisht nga ish-lidershipi i Zoran Zaevit dhe drejtpërdrejt nga prokurorët e korruptuar nga PSP-ja dhe gjyqtarët që drejtohen nga familja Zaev. VMRO-DPMNE për të katërtin vit radhazi ka të ngrirë pronën dhe është mysafire këtu dhe deri vonë ka pasur një llogari të ngrirë. VMRO-DPMNE-ja e tillë me pronë të ngrirë dhe llogari të bllokuar e ka deklasuar LSDM-në”, deklaroi në konferencën për media Hristijan Mickoski.