Meta në Turqi, takon kryebashkiakun e Stambollit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndodhet sot në Stamboll, Turqi, për të marrë pjesë në konferencën Maltepe Economic Forum “Türkiye and EU in the New Era”.

Gjatë vizitës së tij Meta u prit në një takim nga kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu.

“Stambolli është një qendër e rëndësishme botërore, me një popullsi prej gati 16 milionë banorë dhe 3 milionë vizitorë në ditë, ku përfshihet edhe komuniteti shqiptar i vjetër dhe i ri”, u shpreh Meta në një postim në rrjetet sociale.

“Me Stambollin, simbolin e Turqisë moderne dhe zhvillimit gjithmonë të vrullshëm ekonomik, kemi lidhje tradicionale, historike dhe kulturore shumë të forta, që duhet të bëjmë çmos t’i zhvillojmë më tej”, theksoi Meta.

Meta falënderoi kryebashkiakun Imamoglu për mbështetjen e fortë, që i jep bashkëpunimit me vendin tonë.