Mehaj: Kosova, vend me potencial të madh për investitorët

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përgjatë tri ditëve të konferencës “ISOA 2022”, të mbajtur në Gjermani, përveç diskutimeve për situatën e sigurisë në rajon dhe botë, ka prezantuar në panele e në takime të ndara potencialin dhe mundësitë ekonomike që ofron Republika e Kosovës për investime të kompanive të ndryshme, sidomos në industrinë e mbrojtjes.

Gjithashtu, ministri Mehaj ka theksuar se përgatitjet për themelimin e Agjencisë së Mbrojtjes është në funksion të këtyre investimeve, duke krijuar një komunikim të lehtë ndërmjet investitorëve dhe vendit.

Më tej, ai ka shtuar se lehtësira të tjera krijojnë edhe pozita e rëndësishme gjeografike e strategjike, infrastruktura rrugore dhe aeroporti ndërkombëtar modern që ofron qasje të lehtë në tregjet rajonale e botërore, taksa 0% në eksport etj.

Ministri Mehaj ka cekuar po ashtu dhe faktin e popullsisë së re që ka Republika e Kosovës, ku pothuajse 2/3 e popullsisë në Kosovë është në moshë pune.

“Të gjitha këto dhe shumë të tjera, Republikën e Kosovës e bëjnë njërin prej vendeve më tërheqës për investitorët, në rajon dhe jo vetëm”, ka theksuar Ministri Mehaj, duke shtuar se zonat e lira ekonomike ofrojnë lokacion të favorshëm gjeografik, mjedis të favorshëm biznesi, kosto më të ulëta operative, infrastrukturë të gatshme për shfrytëzim dhe dhënie me qira të lokaleve afariste.