Mehaj: Ka filluar procesi planifikues për pjesëmarrjen në stërvitjen “Defender Europe 23”
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi sot se ka filluar procesi planifikues për pjesëmarrjen në stërvitjen më të madhe në Evropë të forcave amerikane me aleatë “Defender Europe 23”.
Ky proces planifikues tha se ka filluar nga Ministria e Mbrojtjes përmes Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe me të gjitha strukturat komanduese dhe shtabore të të gjitha niveleve të FSK-së.
“Sot pata kënaqësinë të vizitoj oficerët, nënoficerët dhe nëpunësit në SHP të FSK-së për t’i uruar dhe përgëzuar për fillim të mbarë të ndërmarrjes më të madhe stërvitore në historinë tonë ‘Defender-Europe ’23’, së bashku me forcat e 28 vendeve aleate të udhëhequra nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë dhe Afrikë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
“Pas suksesit të vitit të kaluar, së bashku ndamë besimin e plotë se Republika e Kosovës, si vend pritës, dhe mbi një mijë trupa tona manovruese, krahas angazhimit tonë në strukturat komanduese dhe shtabore të task-forcë shumëkombëshe, do të arrijmë të realizojmë me sukses të plotë, pjesën e përgjegjësisë sonë operacionale dhe taktike”, ka shtuar ai.
Mes tjerash, ka thënë se objektivë kryesore për vitin 2022/23 është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës.
“Defender-Europe’23 do të jetë sprova jonë që do ta realizojmë me sukses të plotë dhe do të ri-konfirmojmë fuqishëm se jemi të gatshëm plotësisht për të dhënë kontributin efektiv bashkë me forcat e vendeve aleate në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, kontinental dhe global. Vazhdojmë fuqishëm rrugën përpara! Vazhdojmë fuqishëm drejtë sukseseve të reja! Së bashku më të fortë me forcat aleate amerikane dhe gjithë aleatët tjerë!”.