Mediat sllovene: Pahor dëshiron ta zëvendësojë Lajçakun në rolin e ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi

Mediat sllovene kanë shkruar se presidenti aktual i Sllovenisë, Borut Pahor, ka shprehur interesim që pas skadimit të mandatit të tij në postin e presidentit, të marrë pozitën e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të vitit, përfundon mandati i dytë presidencial i Pahorit, pas së cilës ai nuk mund të kandidojë më për këtë pozitë.

Nga kabineti i presidentit Pahor i kanë thënë gazetës së sllovene “Delo” se pas skadimit të mandatit të tij ai do të jetë ish-president i Sllovenisë.

“Ai nuk po merret me çështjen se çfarë do të bëjë brenda një viti, sepse do të ketë kohë të mjaftueshme për këtë. Tani ai është plotësisht i përkushtuar në detyrat e tij, të cilat do t’i kryejë deri më 22 dhjetor”, kanë thënë nga zyra e presidentit Pahor.