“Më mirë për Tetovën”, iniciativa më e re që do të garojë me listë këshilltarësh në zgjedhjet lokale

Tetovë, 18 gusht – Një grup qytetarësh nga Tetova janë organizuar për të konkuruar si të pavarur në zgjedhjet lokale në Tetovë.

Më mirë për Tetovën” quhet grupi i sapo organizuar dhe do të kandidojnë si listë këshilltarësh. Nga sot fillon mbledhja e nënshkrimeve sepse pa nënshkrime të mbledhura, kandidimi i tyre është i pamundur.

Këta aktivistë të pakënaqur nga funksionimi i komunës së Tetovës, kanë vendosur që të japin kontributin e tyre në funksionimin e komunës si institucion gjatë mandatit tjetër katër vjeçar. Ata janë të pavarur nga partitë politike ndërsa kërkojnë ndihmën e qytetarëve me qëllim që gjatë mandatit tjetër të kërkojnë çdo ditë llogari dhe transparencë nga komuna.

Në vijim prezantimi i iniciativës:

“Ne jemi një grup qytetarësh që e duam më të mirën për Tetovën prandaj jemi bërë bashkë, të detyruar të aktivizohemi për shkak të degradimit të situatës në të cilën gjendet komuna jonë. Ne jemi aktivistë nga shoqëria civile të bashkuar edhe me profesionistë të fushave të ndryshme dhe kemi vendosur që organizimit dhe aktivitetit tonë për Tetovë më të mirë jashtë institucioneve, t’i shtojmë fushën e veprimit edhe brenda tyre.

Komuna është institucioni ku merr kuptim dhe kahje zhvillimi i qytetit tonë. Institucionet komunale kanë ndikim thelbësor në jetën tonë sepse përcaktojnë dhe duhet ta garantojnë mirëqenien.

Iniciativa #MëMirëPërTetovën është e pavarur nga partitë politike. Ne do të hyjmë në garë zgjedhore për Këshillin komunal me listë të këshilltarëve të pavarur. Në këtë formë do të punojmë bashkë duke qenë zëri i qytetarëve, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga vendimmarrja. Do të angazhohemi çdo ditë që t’i mbajmë përgjegjës të zgjedhurit në krye të komunës duke ju kërkuar llogaridhënie dhe transparencë.

Iniciativa #MëMirëPërTetovën është ftesa jonë ndaj të gjithë qytetarëve që të bëhemi bashkë për të mirën e përgjithshme. Të bëhemi bashkë – më mirë për Tetovën”, thuhet në prezantimin e grupit inicues.//Zhurnal.mk