Mblidhet për herë të parë Grupi Punues për Veting

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, është mbajtur takimi i parë njoftues i grupit punues për hartimin dhe finalizimin e projektligjeve për realizimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë si dhe ofrimin e mbështetjes për Komisionin Ad hoc të Kuvendit për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar.

Ministrja Haxhiu e cila ishte pjesë e takimit, fillimisht falënderoi të pranishmit për kontributin e deritanishëm, duke vlerësuar edhe njëherë si të rëndësishëm zhvillimin këtij procesi reformues në drejtësi dhe përmbylljen e tij në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet tjera kushtetuese dhe ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, përcjell arbresh.info.

Mes tjerash,  Ministrja Haxhiu edhe njëherë ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit profesional të të gjithë akterëve në këtë proces, atyre vendor dhe ndërkombëtar dhe njëkohësisht shprehu keqardhjen për mungesën e akterëve të Sistemit të Drejtësisë në një takim kaq të rëndësishëm për vet sistemin e Drejtësisë.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, ritheksuan rëndësinë e procesit, zhvillimit të tij në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe gjithashtu ofruan mbështetjen e tyre në zhvillimin dhe përmbylljen e këtij procesi.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu përfaqësues institucional, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë zhvillimorë ndërkombëtar.