Mblidhet KQZ-ja, shqyrton zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme do të bëjë shqyrtimin dhe miratimin e rekomandimit për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe.
Në rend dite është edhe njoftimi lidhur me dorëheqjet e Zyrtarëve të Lartë Komunal të Zgjedhjeve të Komunave Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Mbledhja e KQZ-së pritet të mbahet në ora 13:30.
Si do të bëhet zëvendësimi i deputetëve serbë të dorëhequr?
“Sa i përket deputetëve, procedura shkon sipas zëvendësimit. Pra, kërkesa tashmë është bërë. Edhe KQZ i zëvendëson sipas radhës, nga i njëjti subjekt politik, derisa ka kandidatë. Të njëjtit kandidatë ftohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për me dhënë betimin”, tha Daka.
Por, nëse do ndodh të kemi rastin, që të njëjtit nuk do të pranojnë, atëherë ish-kryetarja e KQZ-së thotë se do të vazhdohet me subjekte tjera politike, po nga i njëjti etnitet.
“Nëse të njëjtit që shkojnë sipas radhës nuk pranojnë, atëherë vazhdojnë me tjera subjekte politike, nga i njëjti etnitet jo shumicë, të cilët kanë garuar për vendet e rezervuara në Kuvend”, tha Daka.
Kush janë kandidatët në radhë që do të mund të zëvendësojnë deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës?
Në listën prej 20 kandidatësh të Listës Serbe, dhjetë prej tyre tashmë mund të jenë zëvendësues të atyre që u dorëhoqën.
Milan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Jokiq, Ksenija Bozoviq, Rados Mihajloviq, Biljana Maksiq, Milan Joksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Nenad Redakonviq, Dragana Antonijeviq janë emrat e Listës Serbe që mund të gjejnë ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.


