Mbledhja e Kryesisë/ Berisha: Misioni i PD-së, mbrojtja e votës së shqiptarëve. Zgjedhjet u vodhën haptas

Zgjedhjet vendore të 14 majit dhe fitorja e vetëm 7 bashkive nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” është arsyeja kryesore e  mbledhjes së Kryesisë së Rithemelimit nga Sali Berisha. Ky i fundit, në fjalën e tij, vuri theksin te mbrojtja e votës së shqiptarëve, për të cilën sqaroi se  nuk nënkupton as mbrojtjen me armë e as me dhunë, por me forcë demokratike dhe çdo mjeti të ligjshëm për të nxitur votimin e mbikëqyrur cenimin e procesit të votimit.

Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj.

Ky është procesi i parë në 32 vite, që nisi me deklaratën e kryeministrit se Kodi Elektoral është një kinezëri për të. Nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do ishin një proces vullneti i një njeriu, që ligjin, Kushtetutën e zgjedhjeve, e quan një kinezëri”, tha Berisha.

Ky i fundit vijoi akuzat ndaj socialistëve për shit-blerje votash. Berisha deklaroi se Kryeministri Edi Rama mobilizoi fondin e pagave dhe pensione për të grabitur zgjedhjet e qytetarëve. Po ashtu, Berisha shtoi se u ble çdo bashki, ku Rama parandjente rrezikun, me qëllimin e vetëm për të ndryshuar rezultatin.

Publikisht me 670 mijë zarfa, secila prej tyre 50 mijë lekë në mes të fushatës elektorale, dorëzuar çdo pensionisti shqiptar.

Se vota, për ata që iu janë verbuar sytë e mendjes, në këtë proces u ble haptas dhe këtë nuk e shpall unë, e shpalli kryeministri Edi Rama.

Krimministri Edi Rama, si asnjëherë më në histori, mobilizoi fondin e pagave dhe të pensioneve për të grabitur zgjedhjet e qytetarëve.

Por a ishte kjo e vetmja blerje masive e votës, e para në historinë e vendit të kësaj natyre? Jo, nuk ishte e vetmja.

Një tjetër blerje nën dorë ishte operative në një pjesë të madhe të bashkive, për të mos thënë në çdo bashki ku ai parandjente rrezikun me qëllimin e vetëm për të ndryshuar rezultatin.

Por avoketërit e vjedhjes së votës duket se pikërisht ata që kanë blerë votën, u kanë blerë mendimin dhe gjuhën atyre. Asgjë nuk i pengon ata të shohin tullumbacen ‘Doshi’. Kjo parti në këto zgjedhje, falë qarkullimit të parave Rama-Doshi është rritur me 220 përqind”, tha ai.