Mbi 5 mijë të vdekur nga përmbytjet/ Begaj: Lutjet tona janë për popullin libian në këtë kohë të vështirë

Presidenti, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet familjeve që kanë humbur të dashurit për shkak të stuhisë shkatërruese  në Libi.Në mesazh, Begaj shkruan se mendimet dhe lutjet janë me popullin e Libisë në këtë kohë të vështirë.“Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin e Libisë gjatë kësaj kohe të vështirë. I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve që kanë humbur të dashurit për shkak të ndikimit shkatërrues të stuhisë Daniel në Libinë lindore”, shkruan Begaj.Mijëra persona mendohet të kenë humbur jetën në Libi si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia e fuqishme Daniel që ka goditur atë vend. Vetëm në qytetin lindor të Dernës, që ka një popullsi prej 100 mijë banorësh, deri tani janë regjistruar mbi 5.200 viktima dhe rreth 2 mijë të tjerë janë zhdukur, ndërsa në gjithë Libinë shifra e të zhdukurve arrin 10 mijë.Stuhia “Daniel”, e cila goditi Mesdheun qendror, ka prekur qytetet libiane Bengazi, Beida, Merck, Susa dhe Derna.