Masat aktuale për udhëtim në Greqi vazhdohen edhe për një javë
Athinë, 3 prill – Masat aktuale dhe rregullat për udhëtim në Greqi, gjegjësisht certifikatat e detyrueshme evropiane për Kovid-19, në lidhje me vaksinimin, sëmundjen e kaluar ose rezultat negativ nga PCR/rapid test, janë të detyrueshme edhe për një javë, ndërsa mes tjerash vlejnë edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut.
Vendimi i ri ministror “Parakushtet për hyrjen në vend për të kufizuar përhapjen e Covid-19” është publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare të Greqisë dhe hyn në fuqi nesër në mëngjes dhe do të jetë i vlefshëm deri më 11 prill të vitit 2022.
Ndryshime ka në kohëzgjatjen e vendimit dhe këtë herë është një, jo dy javë, siç ishte deri tani, si dhe në dispozitat e izolimit në rast të rezultatit pozitiv gjatë testimit në pikat hyrëse në vend, dispozita që nuk përfshihen në vendimin e ri.
Në lidhje me dokumentin për Covid-19, rregullat mbeten të pandryshuara, certifikata e vaksinimit është e vlefshme për nëntë muaj pas dozës së dytë, konfirmimi i sëmundjes zgjat 180 ditë dhe nëse udhëtoni me test negativ,
Hyrja në vend është e lejuar për vizitorët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe zonën Shengen dhe për 35 shtete që janë të përfshira në sistemin e BE-së për certifikatë digjitale (European Union Digital Covid Certificate, EUDCC) përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Udhëtarët do të duhet të kenë certifikatë digjitale evropiane për Covid-19 në lidhje me vaksinimin, sëmundjen ose një rezultat negativ pas PCR-së ose testit të shpejtë.
Për personat e vaksinuar, certifikata është e vlefshme nëse kanë kaluar 14 ditë nga doza e dytë dhe jo më shumë se nëntë muaj pas vaksinimit dhe nuk ka kufizime për personat që kanë marrë dozë përforcuese.
Certifikata digjitale evropiane duhet të përmbajë të dhënat personale bazë, emrin dhe mbiemrin siç janë në pasaportë, llojin e vaksinës, numrin e dozave dhe datën e marrjes.
Opsioni i dytë është me konfirmimin për kalimin e Covid-19 pas testit laboratorik me metodën PCR ose testin e shpejtë të antigjenit (test i shpejtë), dhe sipas vendimit të ministrisë, certifikata digjitale evropiane për sëmundjen e kaluar lëshohet 14 ditë pas testit të parë pozitiv dhe vlefshmëria e tij është deri në 180 ditë.
Opsioni i tretë është me konfirmimin e testit negativ, pra një rezultat negativ nga një test PCR i bërë 72 orë para udhëtimit ose test i shpejtë 24 orë para mbërritjes në Greqi.
Obligimet konkrete për udhëtim vlejnë edhe për të rriturit, por jo për fëmijët deri në moshën 5 vjeçare.
Të gjithë vizitorët në Greqi, pavarësisht nga shtetësia dhe mënyra e hyrjes në vend, mund t’i nënshtrohen testeve të rastësishme dhe përzgjedhja bëhet sipas algoritmit shëndetësor.

