“Marrëveshja finale Kosovë-Serbi s’ka pse ta ketë njohjen formale”
Ish-përfaqësuesi Special i SHBA-së për “Bisedimet për Statusin e Kosovës”, Frank G. Wisner, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia mund të jetojnë edhe pa e njohur njëra-tjetrën.
Sipas tij, marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë s’ka pse ta ketë njohjen formale meqë Kosova dhe Serbia mund të bashkëpunojnë në shumë fusha edhe pa ia njohur sovranitetin njëra-tjetrës.
Wisner është i bindur se edhe kështu “ka një rrugë përpara”.
“Shoh një zgjidhje të pjesshme dhe kjo është nëse të dyja palët mund të bien dakord të jetojnë krah për krah pa e njohur formalitetin e sovranitetit”, tha ai për Albanian Post, duke komentuar rastin se nëse nuk ka zgjidhje me njohje.
“Është e mundur që Kosova dhe Serbia të gjejnë gjuhën e përbashkët, me të cilën mund të bëjnë tregti, të udhëheqin çështjet kulturore, mund të bëjnë shkëmbime shkencore, mund të kryejnë transaksione financiare dhe investime, mund të lejojnë hapjen e rrugëve dhe të lëvizin”.
“Unë besoj se kjo do të ishte e mundur, por nuk mund të bëhet nëse Kosova insiston që Serbia të sigurojë njohjen e pavarësisë”.
Për më tepër, Wisner e ka bindje gjithashtu që “Serbia as nuk do t’i sigurojë Kosovës hyrje të lehtë në Organizatë e Kombeve të Bashkuara”.
“Pra, nëse dikush është i përgatitur të pranojë zgjidhje praktike ajo mund të gjendet, nëse dikush dëshiron të gjejë sovranitet në OKB nuk mendoj se zgjidhjet janë të mundshme”.
Për Wisner arritja e një pajtimi final s’është se do u bënte mirë veç dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por do ta prosperonte “të gjithë rajonin”.
Marrëveshja dhe shkëmbimet e më pasme “i shtyjnë ata të jetojnë krah për krah në paqe”.
Dhe përkundër se Serbia nuk do e njihte formalisht Kosovën, ai deklaron se “megjithatë mëson të jetojë me Kosovën e pavarur”.
Wsiner ishte emëruar në këtë post nga Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, në vitin 2005.