Mariçiq: Reformat gjyqësore janë kyçe për përshpejtimin e integrimit evropian

Shkup, 27 shtator – Takimin shpjegues të skriningut për Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, të Klasterit “Themelet” po e zhvillojmë në kohën e duhur, pasi do të na japë drejtimin për të planifikuar siç duhet aktivitetet dhe reformat e ardhshme në drejtësi.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në takimin në Bruksel për kapitullin 23 “Drejtësia dhe të drejtat themelore”, me të cilin mbyllen takimet e shqyrtimit të skriningut për Klasterin 1, “Themelet”.

“Po zbatohet Strategjia e Reformës në Sektorin e Drejtësisë 2017-2022 dhe po përgatitet një e re. Digjitalizimi i gjyqësorit është duke u zhvilluar dhe disa shërbime digjitale për qytetarët janë të disponueshme në portalin kombëtar të shërbimeve elektronike. Jemi duke punuar në ndërveprueshmërinë për shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet 86 institucioneve dhe për të arritur një transparencë më të madhe gjyqësore, Këshilli Gjyqësor miratoi Planin e Veprimit për Gjyqësor të Hapur 2021-2023”, ka shkruar Mariçiq në faqen zyrtare në Fejsbuk.

Ai theksoi se të gjitha aktivitetet që kemi ndërmarrë në vitet e fundit kanë për qëllim përmirësimin e portalit elektronik të gjykatave, përmirësimin e cilësisë dhe disponueshmërisë së të dhënave dhe informacionit për punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave, forcimin e rolit mbikëqyrës të Këshillit Gjyqësor si dhe përmirësimin e sistemit elektronik për trajnimin bazë dhe të vazhdueshëm të gjyqtarëve.
Dje u mbajt skriningu shpjegues për një tjetër fushë që po futet për herë të parë në negociatat e anëtarësimit – “Funksionimi i institucioneve demokratike”, në kuadër të klasterit “Themelet”, që është një vlerë bazë mbi të cilën funksionon Bashkimi Evropian.

Skriningu për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së ka nisur zyrtarisht më 15 shtator dhe sipas pritshmërive të zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2023.
Nga data 15-27 shtator 2022 janë mbajtur takime për fushat dhe kapitujt e Klasterit të Vlerave Themelore, kur Komisioni e prezantoi legjislacionin e ri për këto fusha. Të gjitha takimet u mbajtën në Bruksel, me përjashtim të Kapitullit 18 Statistika në Luksemburg.

Në periudhën nga 11 nëntori deri më 9 dhjetor do të vijojë skriningu dypalësh ku do të prezantojmë shkallën e harmonizimit me të drejtën e BE-së, strukturën institucionale për zbatimin e ligjeve të harmonizuara dhe planet për harmonizimin e mëtejshëm, ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT-së për zbatimin e standardeve evropiane.

Komisioni Evropian më pas përgatit një raport nga skriningu i cili, ndër të tjera, përmban gjetjet dhe vlerësimin e Komisionit për shkallën e harmonizimit, kapacitetet, konkluzionet dhe rekomandimet, njoftojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.