Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në mbrojtjen ligjore të pakicave
Shkup, 21 shtator – Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në mbrojtjen ligjore të të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, duke përmirësuar politikat e saj në pajtim me Konventën kornizë, por zbatimi praktik i të drejtave duhet të përmirësohet, thotë Komiteti këshillëdhënës i Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në opinionin e ri të publikuar sot, njofton korrespondenti i MIA-s nga Strasburgu.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta zbatojnë Konventën kornizë kryesisht për pakicat kombëtare të cekura në Kushtetutë (shqiptarë, boshnjakë, romë, serbë, turq dhe vllehë), megjithëse ka njëfarë fleksibiliteti për grupet e panjohura.
Ky, opinioni i pestë i Komitetit këshilldhënës për Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare bazohet në informacionin e dhënë nga burime qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë ato të marra gjatë vizitës së tyre në vend në nëntor të vitit 2021. Opinioni është publikuar së bashku me komentet e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Përmbledhja e opinionit të pestë gjithashtu është në dispozicion në gjuhën maqedone dhe shqipe.
Kështu, Komiteti këshilldhënës i Këshillit të Evropës i bën vendit disa rekomandime që synojnë forcimin e mëtejshëm të barazisë dhe luftës kundër diskriminimit, mbrojtjen e pakicave kombëtare nga armiqësitë dhe dhuna, promovimin e kulturave të tyre, përmirësimin e arsimimit dhe përfaqësimit të tyre në media, si dhe të drejtat gjuhësore dhe të drejtat e punës dhe strehimit.
Derisa marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar, linjat ndarëse etnike dhe gjuhësore dalin në sipërfaqe në kohë krize. Qëndrueshmëria e strategjisë “Një shoqëri për të gjithë”, theksohet, kërkon një qasje efektive ndërkulturore, mbështetje më të fortë politike të nivelit të lartë dhe financim solid.
Komiteti shpreh keqardhjen që mjediset e përziera të shkollave dhe klasave mbeten përjashtim. Duhet të zbatohet një qasje ndërkulturore, e cila përfshin trajnimin e mësuesve dhe nxënësve për kulturat dhe historitë e pakicave të ndryshme dhe kontakte më të rregullta ndërmjet nxënësve me prejardhje të ndryshme etnike.
Korniza ligjore për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe krimin nga urrejtja është përmirësuar përsëri, por zbatimi mbetet i dobët, ndërsa gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet, është problem serioz. Janë të pakta rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e forcave policore dhe rrallë janë ndërmarë sanksione kundër pjesëtarëve të policisë. Prandaj, autoriteteve të vendit u kërkohet të përkujdesen që krimet e urrejtjes dhe gjuha e urrejtjes të hetohen si duhet dhe të përforcojnë mekanizmat për monitorimin e sjelljes së policisë.
Përskaj rritjes së moderuar të shkallës së regjistrimit dhe rënie të frekuentimit në shkollat speciale, fëmijët romë vazhdojnë të arrijnë rezultate arsimore dukshëm më të ulëta. Autoritetet duhet të luftojnë fuqishëm kundër ndarjes faktike të shkollave duke rritur regjistrimin e fëmijëve romë në arsimin parashkollor dhe duke përmirësuar qasjen e tyre në arsim cilësor. Pjesëtarët e komunitetit rom duhet të kenë qasje në shërbimet shëndetësore falas, të garantuara me ligj dhe vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet qasjes në shërbimet dhe informacionet për shëndetin riprodhues për gratë rome.
Zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, theksohet më tej, nxjerr në pah zbrastirën e theksuar në mes ambicieve të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe situatës konkrete në administratë dhe gjykata. Për të korrigjuar këtë, nevojiten investime të konsiderueshme në stërvitjen dhe rekrutimin e përkthyesve dhe stafit dygjuhësh.
Autoriteteve u kërkohet gjithashtu të forcojnë pjesëmarrjen socio-ekonomike të anëtarëve të pakicave kombëtare që jetojnë në zonat rurale duke investuar në infrastrukturë dhe mundësi punësimi për të rinjtë e pakicave.
Në këtë opinion të pestë nuk përmendet pakica bullgare në vend, e cila sipas marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, duhet të përfshihet në Kushtetutë.
Konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare është marrëveshja më gjithëpërfshirëse evropiane për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare. Ai është instrumenti i parë shumëpalësh ligjërisht detyrues i dedikuar mbrojtjes së pakicave kombëtare në botë. Zbatimi i tij monitorohet nga Komiteti Këshillimor i përbërë nga ekspertë të pavarur. Që është në fuqi më 1 shkurt të vitit 1998, marrëveshja zbatohet aktualisht në 39 vende.

