Qeveria ka miratuar masa antikrizë për racionalizimin e shpenzimeve në sektorin publik

Shkup, 15 mars –  Qeveria ka miratuar sonte masa antikrizë për racionalizimin e shpenzimeve në sektorin publik. Të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë janë të angazhuar që t’i zvogëlojnë shpenzimet për mallra dhe shërbime për 10 për qind dhe më së voni deri më 21 mars të dorëzojnë propozim për racionalizim të shpenzimeve në Ministrinë e Financave.

Nga pres-shërbimi qeveritar informojnë se masat për racionalizim parashikojnë ndalesë për fillim të procedurave të reja për furnizim të mobiljeve dhe automjeteve, përveç për aktivitete të domosdoshme për punën e institucionit pas një pajtueshmërie paraprake të Qeverisë.

Shfrytëzuesit buxhetorë dhe personat juridikë të themeluara nga shteti do të duhet për 50 për qind t’i zvogëlojnë shpenzimet për reprezantim, sponsorizim dhe reklama, si dhe përdorimin e automjeteve zyrtare, ndërsa do të duhet ta zvogëlojnë edhe numrin e udhëtimeve zyrtare dhe numrin e anëtarëve të delegacioneve gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Ndërmarrjet publike dhe shoqëri aksionale në pronësi shtetërore janë të angazhuara t’i zvogëlojnë shpenzimet vijuese për 15 për qind dhe për këtë ta njoftojnë Qeverinë në afat prej 15 ditëve. Konform kësaj mase, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti dhe SHA në pronësi shtetërore duhet t’i përpunojnë planet e tyre financiare dhe programet investuese dhe ta informojnë Qeverinë në afat prej 15 ditëve.

Trupave rregullatorë, njësiteve të pushtetit lokal, ndërmarrjeve lokale publike dhe institucioneve tjera që janë në kompetencë të komunave u rekomandohet që t’i përcjellin masat e miratuara qeveritare dhe të ndërmarrin aktivitete për racionalizim e shpenzimeve të tyre.

“Shfrytëzuesit e Buxhetit dhe njësitet shfrytëzuese me këto masa janë të angazhuara deri në fund të vitit 2022″, ndërsa komunave, ndërmarrjeve publike, organeve rregullatore, SHA në pronësi shtetërore dhe subjekteve tjera të sektorit publik u këshillohet, që t’i respektojnë masat e miratuara antikrizë dhe të përmbahen nga shpenzimet jothelbësore”, theksohet në kumtesën e Qeverisë.