Manastiri i Deçanit i përgjigjet Kurtit

Manastiri i Deçanit ka dalë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e këtij institucioni fetar.

“Dioqeza ortodokse serbe në Kosovë ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me institucionet e Kosovës, por jo për ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, i cili konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë. Ky është një qëndrim i vendosur i ambasadorëve të BE-së, OSBE-së dhe shteteve të Quint-it”, thuhet në njoftimin e Manastirit të Deçanit në Twitter.

Ky reagim i Manastirit të Deçanit erdhi pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se beson që çështja e këtij institucioni fetar do të zgjidhet me anë të dialogut.

“Neve kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe disa vendime administrative për këto prona. Unë besoj se kjo çështje do të zgjidhet, mirëpo është me rëndësi që të kemi edhe dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve fetare në Manastirin e Deçanit. Unë jam kryeministri i parë i Republikës i cili nuk pranohet në takim me priftërinjtë ortodoksë”, deklaroi Kurti në seminarin e Asambles Parlamentare të NATO-s.