LSM në takim në Qeveri për rritjen lineare të pagave në sektorin publik

Shkup, 21 prill – Përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot pasdite patën takim në Qeveri për përmbushjen e tri kërkesave: rritjen lineare të pagave për 2.806 denarë për çdo të punësuar në sektorin publik, përcaktimin e regresit ose K-15 në shumë prej 30 deri në 100 për qind nga paga mesatare dhe metodologjinë për harmonizimin e të gjitha pagave të tjera në pajtim me rritjen e pagës minimale.

Takimi u mbajt pasdite në Qeveri me nismën e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ndërsa ka marrë pjesë edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, e cila sot gjatë vizitës së Lidhjes së shoqatave të pensionistëve paralajmëroi se Qeveria fillon dialog me sindikatat reprezentative për përgatitjen e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik.

Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski pas takimit deklaroi se ka sinjale pozitive dhe se atë që e kërkojnë nga Qeveria si partner social është, siç tha, e qëndrueshme, e argumentuar dhe solidare.

“Kërkojmë rritje lineare prej 2.806 denarë për të gjithë sektorin publik, përfshirë edhe arsimin, regres për sektorin publik, përcaktimin e kësaj të drejte që e kemi humbur para ca dekadash, por edhe metodologjinë për harmonizimin e rritjes së pagës minimale me të gjitha pagat e tjera në shtet. Ne u qëndrojmë kërkesave tona, nuk bëjmë lëshime prej asaj që e kërkojmë, pozitat i kemi të qarta dhe nëse arrijmë marrëveshje, marrëveshja do të jetë për kënaqësinë e të gjithë punëtorëve. Sektori publik i përfshin organet drejtuese, armatën, policinë, punonjësit shëndetësorë, arsimin etj. Vlerësojmë se ky problem duhet të zgjidhet në interes të të gjithë sektorit publik. Rritja lineare e pagave është në shenjë solidariteti ose siç them unë – nga mirëmbajtësit e higjienës e deri tek presidenti i shtetit të marrim të gjithë në mënyrë lineare nga 2.086 denarë”, tha Dimovski.

Theksoi se si sindikatë përfaqësuese, LSM, lufton për të drejtat e të gjithë punonjësve, pavarësisht nëse janë nga sektori publik ose privat dhe se organizatës së punëdhënësve do t’i kumtojnë që sa më shpejtë të rriten pagat në mënyrë lineare edhe në sektorin privat.

“Pasi nëse nuk ndodhë kjo sa më parë, ne nga shtatori, në pajtim me Ligjin, do të kërkojmë zbatimin e marrëveshjeve kolektive, do të kërkojmë rritje në përqindje të pagave”, shtoi Dimovski.

Kërkesat janë dorëzuar në formë të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik dhe, tha, i japin kohë Qeverisë për ta shqyrtuar.

“I japim kohë Qeverisë ta shqyrtojë. Edhe pse janë festa, ne jemi në dispozicion dhe presim përgjigje për këto tri çështje kryesore”, tha kryetari i LSM-së.