LSDM “ndihmon” bujqit pak para zgjedhjeve, shihet si ndihmë apo gjah ndaj votave?

Shkup, 25 dhjetor – Përgatitjet për zgjedhje veçmë kanë filluar, e kjo po kuptohet pasi dita ditës partitë opozitare kanë shtuar kritikat për pushtetin aktual, nga ana tjetër pushteti ka filluar me premtime e “interesim” sa për pensionistët aq për bujqit. Nga partia në pushtet, LSDM lavdërohen për punën që ka bërë ekzekutivi në sektorin e bujqësisë. Nga kjo parti thonë se janë siguruar 20 milionë euro shtesë për bujqit. Nga ky njoftim i LSDM-së pikërisht pak para zgjedhjeve kuptohet qartazi që brenga e kësaj partie nuk është gjendja e bujqve apo bujqësisë në vend, por është sigurimi i një grusht votash më shumë. Dhe, nga kjo logjikë e të bërit politikë po rrëshqasim drejt një shoqërie që funksionin në mënyrë jo të rregullt. Ku lëshohemi i besojmë një x partie që vetëm nëse shpreh një interesim minimal për interes partiak t’i jepet besimi me votë. Mashtrimet e tilla nuk duhet të kalojnë përkundrazi duhet të ndëshkohen sepse kjo është tallje me dinjitetin e secilit njeri që është pjesë e sektorit të bujqësisë, shkruan Zhurnal.
Ndihma prej 20 milionë eurosh për bujqësinë para zgjedhjeve është grep për të kap një votë më shumë –
Edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së Maqedonisë së Veriut është tokë bujqësore, sërish prodhohet shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore në vend. Kjo kohëve të fundit si pasojë e mungesës së klasës punëtore, ku të rinjtë largohen nga vendi dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Përveç mungesës së punëtorëve, arsyeja tjetër e mos shfrytëzimit të tokës bujqësore është mungesa e projekteve dhe ndihmave financiare që duhet t’i ndahem bujqve për t’i nxitur dhe ndihmuar më shumë.
Nga partia në pushtet, LSDM lavdërohen për punën që ka bërë ekzekutivi në sektorin e bujqësisë. Nga kjo parti thonë se janë siguruar 20 milionë euro shtesë për bujqit.
“20 milionë euro mbështetjes shtesë për fermerët e Maqedonisë janë siguruar deri në fund të këtij viti. Për herë të parë deri më tani, fillon pagesa e subvencioneve në shumën prej 30%. Për 40,000 fermerë do të paguhen 750 milionë denarë! Për herë të parë, fermerët marrin avans të subvencioneve, kur ata kanë nevojë për to më së shumti, në mënyrë që ata të fillojnë të korrat e reja në kohë për të investuar në prodhim dhe për ta modernizuar atë”, shtojnë nga LSDM.
Ky interesim për bujqit e bujqësinë në vend po ndodhë pikërisht në periudhën që na ndajnë vetëm disa muaj prej zgjedhjeve të dyfishta në vend. Kjo tashmë lehtë dekodohet edhe më lehtë kuptohet që kjo ndihmë është vetëm një lëshim grepi edhe në sektorin e bujqësisë.
Qasja e tillë është aplikuar edhe ndaj pensionistëve si kategoria e qytetarëve që janë pjesëmarrës të rregullt si votues në zgjedhje, prandaj çdo ndihmë ndaj pensionistëve në formë të rritjes së pensioneve, ndihmave të shtuara mjekësore e të tjera nuk kuptohen ndryshe pos si “joshje” për të pasur sa më shumë votues potencial.
Vetëdija e qytetarëve është në nivelin e kënaqëshëm të zhvilluar dhe nuk toleron manipulime të kësaj natyre. Nëse përgjatë katër viteve pushtet nuk është bërë kurrfarë intervenimi për ndryshim të sektorëve të shumtë, çdo gjë e gjithçka që bëhet para zgjedhjeve ka të bëjë vetëm me një interes të ngushtë partiak.
Sektori i bujqësisë është përballur rëndë me krizën ekonomike por pushteti ishte “indiferent”-
Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim e shumë pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.
Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.
Përderisa sektori i bujqësisë mbetet ndër sektorët që më së shumti është dëmtuar nga kriza ekonomike, është absurde si ka mundësi që fondet e ndara mos të shfrytëzohen 10 milionë euro sikurse të ishin planifikuar për t’i ndihmuar këta bujq të paktë që kanë mbet në vend do të kishte qenë një stimul dhe ndihmë shumë e nevojshme që ata të vazhdojnë me prodhimet e tyre, që do të jenë në dobi të vendit. Por, nevojitet hartim i projekteve konkrete se ku dhe si do të shpenzohen këto fonde, e për hartim të projekteve nevojiten persona përgjegjës dhe të profiluar. Përndryshe, paratë vijnë dhe shkojnë nga kanë ardhur po nuk u ditë të shfrytëzohen. /Zhurnal.mk