LIVE: Kurti tregon 6 kapitujt që i propozoi të jenë pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë (VIDEO)

11:37 – Kurti tregon gjashtë kapitujt që i propozoi të jenë pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti konfirmoi se ka prezantuar gjashtë kapituj që pala kosovare kërkon që të jenë pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Te tema e parë unë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për kornizën e përgjithshme dhe elementet e saj që do të duhet të përfshinte marrëveshja finale edhe atë në formë të gjashtë kapitujve. Kapitulli i parë do të duhej të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar që nënkupton në njërën njohjen reciproke dhe në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizatat ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike, por edhe i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat që do t’i ndërmarrim në të ardhmen e të cilët kanë të bëjnë me bashkëpunimin. Për neve e ardhmja është bashkëpunim, bashkëpunim ky që sipas bindjes tonë si pikënisje duhet të ketë katër liritë e dalë nga Procesi i Berlinit – liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”.

“Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe garancionet përkatëse si për serbët në Kosovë ashtu edhe për shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë duhet të rikonsiderjmë marrëvshjet e deritanishme por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj se cilat prej këtyre marrëveshjeve veç janë tejkaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht të obligushme finale e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit”.

11:26 – Nis adresimi i Kurtit për takimin në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti është duke u adresuar, para mbledhjes së qeverisë, lidhur me takimin e 18 gushtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

07:00 – Kryeministri Kurti flet sot për takimin në Bruksel

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të flasë për takimin e tij të së enjtës që e kishte në Bruksel me presidnetin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Klankosova.tv, ka thënë se Kurti adresimin do ta bëjë të mërkurën në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar.

“Në lidhje me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, Kryeministri Kurti do të flasë këtë të mërkurë në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar”, ka thënë Kryeziu për Klankosova.tv.

Lidhur me bisedimet e 18 gushtit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq një adresim e pati të dielën.

Pas takimit që pati me serbët e Kosovës, ai tha se pret që brenda 10 ditësh të arrihet një marrëveshje e pranueshme për targat dhe letërnjoftimet, njofton Klankosova.tv.