Largohet barrikada në anën e Serbisë në Merdare

Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë që ndodhet në vendin e ngjarjes. Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ku ishte bllokuar rruga, thanë se ishin pjesërisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës.

Ata theksuan se po veprojnë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova. Më 27 dhjetor, pika kufitare në Merdare u mbyll nga Policia e Kosovës pasi një grup serbësh në Serbi kanë bllokuar rrugën për në kufi. Për të enjten është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës. Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Pantiq u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak. Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.