LAJMI I FUNDIT: Qeveria miraton nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Kohë më parë është paralajmëruar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës në muajin maj.

Javë më parë gazetari gjerman Michael Martens në një shkrim në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Rusia jashtë, Kosova brenda?”, ka raportuar se Kosova së shpejti mund të jetë anëtari më i ri i Këshillit të Evropës.

Martens në shkrimin e tij më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

E para disa dite lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, ka folur edhe deputeti gjerman, Knut Abraham.

Ai ka thënë se pas përgjigjes inkurajuese të Qeverisë gjermane për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, hapi tjetër do të ishte që Kosova të dorëzojë aplikacionin e saj, më së miri tani, në mënyrë që të diskutohet në seancën e ardhshme të Komitetit të Ministrave në Torino më 20 maj.

E lidhur me aplikimin për anëtarësim në KiE, ka folur edhe Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, Kosova i ka gjasat e mira dhe sipas tij, 2/3 e votave janë të siguruara.

Edhe për gazetarin gjerman Michael Martens, Kosova i ka gjasat e mira për tu anëtarësuar.

Ndryshe, Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut.

Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtarë i Këshillit.

Mirëpo kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.

Procedurat kërkojnë që një shtet anëtarë i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.

Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë

Ndërkaq, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën.