Lajçak në Kosovë, takohet me Kurtin
Në ora 9:00 nis takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kështu ka njoftuar zyra për media e Qeverisë së Kosovës.
Vizita e Lajçak vjen pas asaj që pati të hënën në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Në Beograd sot, diskutova rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve si vazhdim i takimeve të fundit të Dialogut me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç”, shkroi Lajçak.
Po ashtu sipas diplomatit sllovak është diskutuar edhe për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione, por edhe për personat e zhdukur e energjinë.
“Ne folëm edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, Udhërrëfyesin e Energjisë dhe personat e zhdukur”, shtoi ai.
Ndërsa presidenti Vuçiç pas takimit pati deklaruar se “me Miroslav Lajçak-un kam diskutuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohen serbët për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.
Vuçiç dhe Lajçak u takuan në orën 11:00 dhe takimi ka zgjatur rreth një orë.
“Theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë”, thotë Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.
“Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe arritjes së kushteve më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve”.
Takimi mes Lajçak-ut dhe Vuçiç-it vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë acaruar sërish, sidomos pasi Kurti emëroi Nenad Rashiç-in ministër, gjë që Vuçiç-it nuk i pëlqeu, pasi ai pretendon se Rashiç nuk është përfaqësues i vërtetë i serbëve të Kosovës.

