Lajçak: Liberalizimi i vizave po vjen për Kosovën, nuk mund të them datë të saktë

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë që edhe pse nuk mund të thotë një datë të saktë, por që shumë shpejtë mund të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Lajçak ka thënë që Kosovës do të duhej t’i liberalizoheshin vizat shumë kohë më parë.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit”.

“Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë, ka thënë Lajçak në një intervistë për Euronews Albania.