Kyçyk: Çdo vend bëhet anëtar i plotfuqishëm me identitetin dhe historinë e tij, kjo vlenë edhe për Maqedoninë

Shkup, 9 shtator – Bashkimit Evropian i duhet Maqedonia e Veriut, njëjtë siç Maqedonisë së Veriut i duhet BE-ja. Çdo vend bëhet anëtar i plotfuqishëm me historinë dhe identitetin e tij, kështu do të jetë edhe këtë herë, janë porositë kryesore të cilat i dërgoi eurodeputeti Ilhan Kyçyk i cili sot në UAE-FON nga prof.dr. Naser Etemi, kryetar i Senatit, u shpall “doktor nderi” – Honoris Causa për kontributin në evropianizimin dhe krijimin e politikave të mira dhe fqinjësisë së mirë si kryetar i ALDE dhe raportues për Maqedoninë e Veriut për Parlamentin Evropian.

Ai potencoi se Maqedonia e Veriut e zgjodhi rrugën që të ndërtojë shoqëri multietnike në të cilën të gjithë ekzistojnë bashkë.

“Marrëveshja e Ohrit hodhi themelet e kësaj bashkëjetese, e cila u bë shembull i demokracisë multikulturore. Sot atë e vlerësojnë edhe partnerët ndërkombëtarë. Maqedonia e Veriut zgjodhi me vetëdije rrugën e fqinjësisë së mirë dhe miqësisë, duke nënshkruar marrëveshjen me Bullgarinë në vitin 2017 dhe Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018, e cila i hapi vendit rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Sot Maqedonia e Veriut është një anëtare e respektuar e NATO-s dhe vetëm pak muaj më parë u hap rruga e saj drejt BE-së”, tha Kyçyk.

Duke folur për Bashkimin Evropian theksoi se çdo vend hyn në të me historinë dhe identitetin e tij. Kështu, siç tha, do të jetë edhe me Maqedoninë e Veriut.

“BE-ja nuk i shkrin dallimet, por përkundrazi – u jep atyre mundësinë të zhvillohen. Dhe kjo është pasuria më e madhe e Bashkimit – diversiteti i tij. Ne evropianët kemi nevojë për Maqedoninë e Veriut në BE. U dhëshmua se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë larg dhe afër. Ndoshta ky është fati i njerëzve më të afërt, ndonjëherë ata janë larg. Shpjegimi më i zakonshëm për këtë është besimi i humbur dhe injoranca”, potencoi Kyçyk.

Ai në fjalimin e tij theksoi se Evropa është kontinent i mundësive, ndërsa të rinjtë e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë qasje në të gjitha programet për zhvillimin e tyre personal.

“Dëshiroj që Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa veçanërisht të rinjtë e saj, të kenë qasje në mundësitë e BE-së. Dëshiroj që qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të ndjejnë përfitimet e anëtarësimit në BE, ashtu siç i ndjejnë qytetarët e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë. Ju premtoj se do të vazhdoj të punoj për këtë. Sot në territorin e Evropës po zhvillohet një luftë, diçka që e kishim harruar. Askush nuk e parashikoi se do të vinte dita kur ligji i të fortëve dhe jo forca e drejtësisë do të sundonte sërish. Ajo që ndodhi në Ukrainë ndryshoi BE-në. Për herë të parë, Unioni ndërmori veprime të paimagjinueshme më parë. Por pavarësisht vështirësive dhe pasojave të luftës, jam i bindur se BE-ja do të dalë nga kjo krizë më e fortë dhe më e bashkuar”, tha Kyçyk.

Kreu i ALDE theksoi se dija nuk është e lindur dhe se askush nuk lind i arsimuar dhe i ditur. Arsimi, sipas tij, është shenjë e barazisë, jep rezultate produktive, siguron liderë të ardhshëm dhe është procesi i duhur për të transformuar shoqërinë moderne.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të madhe për UAE – FON dhe personalisht Sefer Canoskin për nderin që më dhanë titullin Doctor Honoris Causa. Është mirënjohje jo vetëm për mua si politikan dhe qytetar, por edhe për partitë nga familja liberale që përfaqësoj dhe për të cilët arsimi është vlera më e lartë në botën moderne”, tha ai.

Sipas tij arsimi është mjet për afrimin e njerëzve dhe për lidhje të shoqërive.

“Jam krenar që e marr këtë mirënjohje akademike sot, një ditë pasi Republika e Maqedonisë së Veriut kremtoi festën e saj kombëtare – Ditën e Pavarësisë. Për mua, megjithatë, ka vlerë shtesë, sepse atdheu im, Bullgaria, është vendi i parë në botë që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë së Veriut. Ajo ishte e para që pa mundësitë e reja për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, e para që dha dorën në momentet e vështira të ndërtimit të një shteti modern evropian”, theksoi Kyçyk.

Në konferencën “BGMK 2030: Rinia dhe arsimi si çelës për një aleancë më të fortë euroatlantike” morën pjesë një delegacion qeveritar maqedonas i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe profesorë nga të dy vendet, studentë dhe përfaqësues të partive politike dhe organizatave civile