Kuvendi ratifikoi marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi
Me 80 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi për aderimin në Bashkimin Evropian.Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka thënë se ky projektligj së pari ishte miratuar edhe nga Qeveria e kaluar por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit ishte kthyer në riprocedim.“Miratimi i kësaj marrëveshje lidhet me objektivin – integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky projektligj ishte miratuar edhe nga Qeveria e kaluar dhe ishte përcjellë në Kuvendin Republikës së Kosovës por, për shkak të shpërbërjes së Kuvendit ky projektligj nuk ishte miratuar dhe është kthyer prapa për riprocedim tutje”, ka thënë Gërvalla.Gërvalla ka theksuar se arritja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme dhe ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë projektligj.
Të gjitha grupet parlamentare e kanë mbështetur këtë ligj duke shtuar se është i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në BE.Miratimi i kësaj marrëveshje sipas memorandumit shpjegues të këtij projektligji i shërben Qeverisë së Kosovës për realizimin e objektivave për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.Sipas memorandumit shpjegues, marrëveshja e ratifikuar ka për qëllim që Qeveria e Kosovës së bashku me Qeverinë e Malit të Zi të ketë objektiv strategjik aderimin e plotë në Bashkimin Evropian.“Të dy Qeveritë do të intensifikojnë dialogun politik me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në kontekstin e Integrimit dhe aderimit evropian si dhe afirmimit të vlerave evropiane në bashkëpunimin dypalësh rajonal, i cili do të zhvillohet përmes takimeve mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme ose përmes përfaqësuesve të ministrive përkatëse, të cilat do të organizohen çdo vit”, thuhet tutje në memorandumin shpjegues.Këtu mund të gjeni dokumentin e plotë të ligjit të miratuar për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian.