Kuvendi miraton Marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën

Kuvendi i Kosovës ratifikoi sot marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën.

Kuvendi këtë marrëveshje e ratifikoi me 82 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Kjo marrëveshje ishte miratuar në Qeverinë e Kosovës më 8 shkurt 2023. Kabineti qeveritar kishte miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Ndryshe, tre marrëveshje thelbësore rajonale janë nënshkruar më 04.11.2022 në Berlin në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, të cilat do ta thellojnë bashkëpunimin mes shteteve nga Ballkani Perëndimor.

Marrëveshjet e nënshkruara nga shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë për qëllim integrimin rajonal dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të rajonit.