Kuvendi do ta mbajë seancën e 66-të

Shkup, 15 mars – Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 66-të, në rend dite të së cilës janë disa propozim-vendime- ligjore me procedurë të shkurtuar.

Deputetët duhet ta shqyrtojnë propozim-vendimin për ndryshime dhe plotësime të Vendimit për zgjedhje të kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të parashtruar nga grupi i deputetëve.

Para dhjetë ditëve me 61 “pro”, pa asnjë kundër dhe pa të përmbajtur Kuvendi e miratoi vendimin për shkarkim të deputetit Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa” si anëtar të Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk ishin të pranishëm në sallë dhe nuk votuan.

Në rend dite të kësaj seance është edhe Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me procedurë të shkurtuar, të parashtruar nga Talat Xhaferi, Goran Misovski, Jovan Mitreski dhe Arbër Ademi.

Deputetët duhet t’i shqyrtojnë propozim-ligjet për shërbime pagesore dhe sisteme pagesore, Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për cilësinë e prodhimeve bujqësore, Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për akciza, Propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për tatimin e vlerës së shtuar, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Në rend dite është edhe Propozim-ligji për parandalim të larjes së parave dhe financim të terrorizmit, në lexim të parë me flamuj evropian.