Kutirov: Drejtoria e Doganave është modern, i avansuar dhe lider i ndryshimeve në rajon

Shkup, 14 prill – Drejtoria e Doganave sot, me rastin e 30 vjetorit të themelimit, para udhëheqjes shtetërore dhe bashkëpunëtorëve i prezantoi rezultatet e arritura, reformat e realizuara dhe ngjarjet më të rëndësishme që shënuan tridhjetë vjetët e kaluar. Për bashkëpunëtorët u ndanë mirënjohjeje, ndërsa të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin demonstrimin me pajisjet e kontrollit të cilat shfrytëzohen gjatë punës së përditshme doganore dhe të njihen me rolin e Doganës në mbrojtjen e shoqërisë.

Në këtë manifestim, për të cilin nga Dogana informuan përmes një komunikate për media, morën pjesë presidenti Stevo Pendarovski, si mysafir nderi, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë z.z Stefan, përfaqësues të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, ish-drejtorë të Drejtorisë doganore dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

“Drejtoria e doganave dhe doganierët janë një ndër kontaktet e para me vendin tonë dhe për këtë ne i njohim normat e përcaktuara për punë profesionale doganore si parakusht të rëndësishëm për promovimin e tregtisë ndërkombëtare të vendit tonë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se digjitalizimi si proces në Drejtorinë doganore është pjesë e transformimit digjital të shoqërisë, i cili, theksoi, rrit efikasitetin, por edhe rrit besimin e qytetarëve dhe sektorit të biznesit tek institucionet. Ky është mjeti kryesor i punës së mirë dhe transparente”, theksoi Kovaçevski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, nga ana tjetër, përshëndeti bashkëpunimin e suksesshëm, duke theksuar se Drejtoria doganore ka rol kyç në lehtësimin e tregtisë, përmes procedurave të përshpejtuara, të lehtësuara dhe të digjitalizuara, e cila ka ndikim në kushtet e biznesit dhe në kompetenca e tij është edhe mbledhja efikase e të hyrave që kanë ndikim në të hyrat buxhetore.

Sipas drejtoreshës së Drejtorisë doganore Sllavica Kutirov, Drejtoria doganore, e bazuar në fillimet tradicionale të pavarësisë, me një dinamikë të madhe zhvillimi, është shndërruar në shërbim të vërtetë për qytetarët, bashkësinë e biznesit dhe shtetin.

Mirënjohje u ndanë: Odës Ekonomike të Republikës së Maqedonisë të Veriut, Shoqatës së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Doganave të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Ambasadës së Kombeve të Bashkuara dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian.