Kush janë 15 këshilltarët e Kovaçevskit?
Shkup, 7 Prill – Procesi i zgjedhjes së këshilltarëve të rinj të jashtëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski ka përfunduar, mëson Fokus nga burime të larta qeveritare, të cilët zbulojnë se në listën këshilldhënëse janë 15 këshilltarë.
Në të ka disa emra të vjetër, si Edmond Ademi (punë të jashtme), Ismet Ramadani (euroatlantike), Nina Fiti (financa), Dragan Vasilevski (mbrojtje)…
Në listë është edhe ish-shefi i policisë sekrete, Zoran Verushevski, i cili ishte këshilltar i Zoran Zaev për sigurinë kombëtare dhe tani vazhdon në të njëjtën pozitë me Kovaçevskin.
Në listën e re ka edhe emra të rinj, ndër të cilët është edhe dekani i Fakultetit Ekonomik Predrag Trpeski, i cili do të jetë këshilltar ekonomik.
Një tjetër profesor nga Fakulteti Ekonomik i Shkupit, Vanço Uzunov, i cili është edhe ish nënkryetar i LSDM-së, do të jetë këshilltar për Procesin e Berlinit.
Profesori në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative, Anton Çausheski, do të jetë këshilltar për energji.
Më tej, për riorganizimin dhe optimizimin e proceseve, këshilltar do të jetë bankieri i njohur Gligor Bishev, i cili aktualisht është Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Sparkase.
Në listë janë edhe Ana Daneva-Markova (shëndetësi), Spase Dodevski (arsim dhe çështje sociale), Maja Angelovska (digjitalizim), Simona Risteska (politika tatimore), Elena Oranska-Petkovska (e drejta administrative), si dhe një ekspert gjermane.
Ndryshe, Kovaçevski e zvogëlon në mënyrë drastike numrin e këshilltarëve të jashtëm, duke qenë se paraardhësi i tij Zaev kishte mbi 50, ndërsa numri i tyre ishte edhe më i madh në kohën e Nikolla Gruevskit.

