Kush do ta zëvendësojë BEG-un?

Shkup, 11 Shtator – 13 shtatori është afati për regjistrimin e kompanive, që duan të marrin përsipër biznesin e ngrohjes në Shkup. Qeveria lëshoi tre shpallje publike për prodhimin, distribuimin dhe furnizimin me energji termike për përdoruesit e Balkan Enerxhi Grup, i cili mbeti pa licencat e punës për shkak të problemeve financiare. Nga Qeveria thonë se e gjithë procedura do të përfundojë në kohën e duhur.

“Lëndë e kësaj thirrje publike është zgjedhja e personit përgjegjës për aktivitetin energjetik të furnizimit me energji termike si shërbim publik për nevojat e konsumatorëve në zonën e një pjese të qytetit të Shkupit, përkatësisht në Komunën e Aerodromit, një pjesë e komunës Gazi Babë, lomunës Gjorçe Petrov, karposh, Kisella Vodë, komunës Qendër dhe komunës së Çairit”, thonë nga Qeveria.

Mirëpo, një muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes, pyetja kryesore e një pjese të Shkupit është se kush do t’i ngrohë shtëpitë dhe objektet afariste? Qytetarët e Shkupit kanë paqartësi të shumta lidhur me këtë çështje ndërsa kanë marrë edhe fatura që duhet të anulohen.

“Nuk e di çfarë të bëj. Në televizion thanë të mos paguajmë, por çfarë do të ndodhë, si do jetë, nuk e kuptoj”, tha një qytetar.

“Po, po, kanë ardhur faturat e ngrohjes. Shumë herët, nuk e di pse. Gjithmonë vinin më vonë. Nuk i kam hapur ende, tash i kam marrë”, tha një qytetare.

“Nuk kam informata të sakta, e di që ka ndërhyrë qeveria, por nuk e di se çfarë”, shtoi një tjetër qytetar.

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka marrë vendim, siç paralajmëroi edhe më herët, që të anulojë faturat e BEG për ngrohje për muajin gusht, sepse në to nuk është llogaritur subvencioni i dhënë nga Qeveria.

“Ata që kanë paguar tashmë faturat më të larta të gushtit, shuma do të ulet në përputhje me shumën e paguar në faturat e ardhshme. Gjatë këtij muaji, pjesa tjetër do të marrë fatura të reja të korrigjuara për muajin gusht”, thonë ng KRRE.

Pak më shumë se një muaj më parë, rregullatori hoqi licencat e nevojshme për funksionimin e BEG. Shkak për këtë është mungesa e kushteve financiare të kompanisë për blerjen e gazit natyror, i cili nevojitet për prodhimin e energjisë termike. Sipas njoftimeve, favoriti më i madh tani është EMV-ja shtetërore, e cila themeloi edhe një kompani të re publike për të marrë pjesë në garën për të marrë përsipër punën me ngrohjen në kryeqytet.