Kurti takohet me përfaqësuesit e Luginës, diskutohet për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Medvegjës nga Serbia
Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, pritën në vizitë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Naide Beqiri e Argjend Bajrami, këshilltari komunal i Medvegjës, z.Fehmi Beha, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Ragmi Mustafa dhe Arben Ferati, përfaqësues i Medvegjës në KKSh.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave i uruan Kurtin, përvjetorin e pavarësisë, duke i uruar suksese të mëtejme në qeverisje.
Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, u shprehën ata.
U diskutua gjendja e të drejtave të njeriut në tri komunat dhe nevoja për më shumë angazhim dhe unitet të politikanëve dhe të subjekteve politike.
Theks të veçantë në bisedë pati pasivizimi i vazhdueshëm i adresave të banorëve shqiptarë të Medvegjës, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Libur Aliu dhe ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati.
Me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, kryeministri Kurti dhe kabineti qeveritar kanë komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.