Kurti shpreh ngushëllime Turqisë dhe Sirisë: Kosova është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë pas tërmetit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit të fuqishëm që shkaktoi qindra viktima.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti u shpreh se Kosova është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë.
“Në vazhdën e tërmetit shkatërrues të mëngjesit të sotëm, shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për popullin e Turqisë dhe Sirisë, për familjet e viktimave dhe për ata që mbetën papritmas pa shtëpi”.
“Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë”, shkroi Kurti.
Më herët, për tërmetin pati solidarizim edhe nga presidentja Vjosa Osmani, dhe liderët e opozitës parlamentare.
Sipas raportimeve, tërmeti prej 7.7 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, ka lënë të vdekur më shumë se 500 njerëz.
Numri vazhdon të rritet, teksa kërkimet vazhdojnë nën gërmadha.

