Kurti: Presim qeverinë e re në Mal të Zi për ta diskutuar çështjen e demarkacionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të hënën se është në pritje të zgjedhjes së qeverisë së re në Mal të Zi, me të cilën tha se mund të diskutojë për demarkacionin, për dallim nga qeveria e kaluar e cila “kishte përbrenda elemente pro ruse”.
Kurti këto komente i bëri sot gjatë vizitës në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët, “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.
“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”.
“Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje Qeveria e re. Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, tha shefi i qeverisë para mediave.
Sot janë mbushur katër vjet që kur Kuvendi i Kosovës miratoi demarkacionin me Malin e Zi.
Pasditen e 21 marsit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Vetëvendosje. Për shkak të hedhjes së gazit atë ditë, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga seanca.
Procesi i miratimit të demarkacionit zgjati tri vjet dhe u parapri nga një debat i madh, protesta dhe reagime të shumta nga qytetarë, politikanë dhe ndërkombëtarë

