Kurti në Ditën Ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë: Duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë.
Në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” ku edhe vetë ishte nxënës për tetë vite, Kryeministri vizitoi Klubin e Kodimit të kësaj shkolle. Nga vajzat pjesëmarrëse në klubet e kodimit u prezantuan projektet inovative të zhvilluara nga nxënëset e shtatë shkollave të mesme të ulëta nga e gjithë Kosova.
Kryeministri theksoi se përmes punës së përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.
“Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, ne kemi ndarë buxhet për 1000 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet si STEM. E këtë e kemi tejkaluar, dhe këtë vit kemi 1.365 vajza që i kemi mbështetur me bursa nga 1.000 euro për studime në fushat STEM”, deklaroi ai.
Kurti shtoi tutje, “së bashku, do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore. Përmes punës sonë të përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë”.