Kur dy veta zihen, i treti fiton/ Përplasje mes L.Besa dhe Arbër Ademit për gjuhën shqipe

Shkup, 19 prill – Largimi i gjuhës shqipe në FB faqen e Qendrës Informative Kulturore (QIK) nga ana e drejtorit të ri të Levicës, u bë mollë sherri mes partive shqiptare në pushtet dhe opozitë.

Deputeti Arbër Ademi, deputet i partisë e cila ka të gjithë shtetin në dorë, fajëson Lëvizjen Besa për këtë veprim ndonëse kjo e fundit ka disa muaj që është në opozitë dhe nuk ka asnjë fuqi që të ndikojë në gjëra të tilla.

Arbër Ademi thirret te tentimi i përbashkët mes Levicës, Besës, Aleancës, Alternativës dhe VMRO-DPMNE-së për të rrëzuar Qeverinë por kjo doli të jetë e pauksesshme. Andaj Levicën ai e quan si partner koalicioni të Lëvizjes Besa e të Aleancës për Shqiptarët.

“Si do të dukej një qeverisje e koalicionit LEVICA, përberë nga VMRO, Aleanca, Levica dhe Besa me se miri demonstrohet me largimin e paligjshëm të përdorimit të gjuhës shqipe nga Qendra Informative Kulturore, institucion në kuadër të Qytetit të Shkupit.

Ky akt, nga ana e drejtorit të Qendrës Informative Kulturore te koalicionit VMRO, Levica, Aleanca dhe Besa ka ngjallur reagime të shumta sepse me këtë veprim partnerët e koalicionit të Aleancës për shqiptarët dhe Lëvizjes Besa dëshmojnë papjekuri politike në njërën anë dhe në anën tjetër thyejnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve që tashmë është në fuqi, me qëllim që të nxisin tensione ndëretnike në kohë kur i gjithë kontinenti po vuan luftën ne Ukraine. Kjo mund të jetë vetëm skenar që shkon në favor Rusisë sikur qe ishte skenari i shumicës se re 61″, tha sot Ademi.

Arbër Ademi si duket sot tentoi të tërheqë vëmendjen e opinionit dhe të mos ngriten akuza ndaj partisë së tij në pushtet, duke treguar kështu pafuqinë për të ndërmarë diçka kundër drejtorit të Qendrës Informative Kulturore.

Nuk vonoi fare as përgjigja e Lëvizjes Besa. Nga kjo parti thonë se deklarimet e Ademit janë të pabaza dhe kanë për qëllim të defokusojnë opinionin.

Sipas tyre, Lëvizja Besa nuk është në koalicion me asnjë parti politike në Qytetin e Shkupit dhe për këtë duhet të bartë përgjegjësi vet BDI sepse inspektorati për përdorimin e gjuhëve udhëhiqet pikërisht nga kuadro i BDI-së.

“Deklarata e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi është e pabazë, nxitëse dhe ka për qëllim të defokusojë opinionin nga aferat korruptive dhe pa aftësinë e qeverisë ku BDI bën pjesë. Lëvizja BESA nuk është në koalicion me asnjë parti politike në Qytetin e Shkupit dhe nuk mban përgjegjësi për mos respektimin e gjuhës shqipe që sot po e vëren në shumë institucione që udhëhiqen nga BDI dhe LSDM. Arbër Ademi ka ngatërruar adresën, në vend t’i drejtohet Lëvizjes BESA le t’i adresojë shqetësimin e tij deri te drejtori i inspektoratit për përdorimin e gjuhëve të cilin e ka nga radhët e partisë së tij”, thonë nga Lëvizja Besa.

Ata akuzojnë Ademin se nuk mund të flet ai për politika të mëdha kur nuk arriti të ndërtojë një shkollë në Butel e në Veles.

“Arbër Ademi para se të akuzoj të tjerët ai duhet të japë llogari për tekstet fyese shkollore nga koha e tij të cilat krijojnë ndasi etnike, duke i nënçmuar nxënësit shqiptar. Poashtu ai duhet të përgjigjet për shkatërrimin e arsimit në Maqedoni, me theks të veçantë arsimin shqip. Nuk mund të flet për politika të mëdha një njeri që me vite të tëra nuk mund të ndërtojë një shkollë në Butel dhe në Veles. Pra, dështimet në arsim sjellin ndasitë dhe pa barazitë etnike dhe arsimore”, thonë nga Lëvizja Besa./Zhurnal.mk