Kur do t’i heqim maskat? Pritet vendim nga shtabi i krizës dhe nga Qeveria
Shkup, 8 prill – Shtabi kryesor koordinues i krizës këto ditë pritet ti shqyrtojë kërkesat e komisionit për sëmundje ngjitëse për zbutjen e masave anti kovid dhe më pas të miratohen në seancën e ardhshme të qeverisë.
Megjithatë, sipas autoriteteve, rekomandimet e reja që synojnë lehtësimin e kufizimeve nuk do të thotë se pandemia ka mbaruar.
Heqja e masës për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura me përjashtim të objekteve shëndetësore, shtëpive të të moshuarve, farmacive dhe transportit publik, si dhe heqja e monitorimit epidemiologjik të kontakteve dhe rekomandimi i mëpasshëm për izolimin e kontakteve, janë rekomandimet që në mbledhjen e fundit u sollën nga Komisioni për Sëmundjet Infektive, informon Zhurnal.
Kryetari i komisionit, Aleksandar Petliçkovski informoi se komisioni pas shqyrtimit të situatës epidemiologjike në vend, arriti në përfundimin se kushtet aktuale bëjnë të mundur që të mendohet për uljen e masave kufizuese dhe rekomandon heqjen e masës për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura.
Në lidhje me rekomandimet e mëtutjeshme, kryeministri Dimitar Kovaçevski konsideron se kjo varet ekskluzivisht nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
“E kam thënë disa herë se mendimi i mjekëve anëtarë të Komisionit për Sëmundjet Infektive është me rëndësi të veçantë, dhe mendimi, njohuritë dhe përvoja e tyre është dëshmuar se zbatohen drejt nga Qeveria, sepse që kur jam kryeministër kam ndjekur gjithçka që thonë mjekët, deri te hulumtimet e tyre empirike të cilat i kanë shfrytëzuar nga europa dhe OBSh- ja, u tregua si e drejtë duke pasur parasysh se trendet që parashikuan në lidhje me fillimin e vitit shkollor, si dhe në zvogëlimin apo lehtësimin e masave, ashtu do të vazhdojë të jetë edhe në sjelljen e masave të ardhshme” tha dje Kovaçevski.
Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 202 raste të reja me kovid 19, nga 2.285 teste të realizuara, 2 të vdekur ndërsa të shëruar 201 pacient, informon Zhurnal.
Deri tani në vend janë bërë gjithsej 1.976.805 teste të kovid 19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me kovid në vend që nga fillimi i pandemisë arrin deri në 307.344, numri i pacientëve të shëruar arrin në 296.574, ndërsa të vdekur 9.236. Numri i rasteve aktive shënon 1534.

