Kulmi i sezonit turistik, Struga ende pa shpëtimtarë të mjaftueshëm

Strugë, 30 Korrik – Sezoni veror mbush bregun e liqenit dhe plazhet në Strugë. Turistë nga e gjithë Maqedonia e Veriut, vendet fqinje por edhe të huaj vijnë për të pushuar në Liqenin e Ohrit.

Plazhet në Strugë janë mirë të rregulluara, megjithatë nuk ka mjaftueshëm shpëtimtarë të plazheve.

Nga kryqi i kuq në Strugë thonë se janë trajnuar vullnetarët të cilët kanë aplikuar, megjithatë plazhet e qytetit gjithmonë kanë nevojë për më shumë shpëtimtarë.

“Çdo vit kryqi i kuq ka pas trajnime dhe për atë kemi pas një numër më të madh të shpëtimtarëve, mirëpo siç e dini liçencat tona janë të limituara deri në 3 vjet dhe mbas 3 vitesh një shpëtimtar duhet ta renovojë ose ta ndërpres dhe për atë arsye dhe edhe neve kemi pas nevoja për trajnime të reja, dhe për të mbajtur kurse, gjithmonë ka pas nevojë dhe vazhdon të ketë nevojë për rojtarë të plazheve.” – tha Drejtoresh e Kryqit të Kuq në Strugë, Adhurime Dauti.

Për momentin ka 8 shpëtimtarë të cilët janë të aktiv, disa prej tyre janë të angazhuar nga ana e koncesionerëve në bregun e liqenit.

“Nga ato të cilët janë aktiv janë diku 8, të cilët janë edhe të angazhuar në plazhet tona. Kemi edhe kontrata pune me disa nga plazhet të cilët marin edhe rojtarë të plazheve.” – u shpreh Dauti.

Muajt korrik dhe gusht janë periudha ku plazhet e Strugës frekuentohen më së shumti, ndërsa edhe numri i incidenteve në këtë kohë është më i madh.

Megjithatë, nga kryqi i kuq thonë se fatmirsisht deri më tani nuk është dasht të bëhet ndonjë ndërhyrje urgjente, vetëm raste me lëndime më të vogla.